• Sport

Vllaznia, fitore me përmbysje ndaj Dinamos

Gjirokastra 11 Dhjetor 2023

Vllaznia ka arritur të sigurojë një fitore 3-1 përballë Dinamos në sfidën e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Tri pikë mjaft të rëndësishme për kuqeblutë, të cilët tashmë mund të llogariten si pretendentë për “Final 4” me 20 pikë të grumbulluara. Një goditje për blutë, që mbeten në kuotën e 19 pikëve, duke humbur një mundësi për ta parë veten në katërshen kryesuese tw paktën për një natë.

Në fakt, në “Loro Boriçi” sfida nisi me gol për miqtë, që arritën të gjejnë rrugën e rrjetës që në minutën e 4-ët me anë të Denison, pas një topi të hedhur në zonë nga Lorenco Vila. Megjithatë, kuqeblutë nuk vonuan të marrin kontrollin e lojës në dorë dhe arritën të vendosin barazpeshën në minutën e 11-të me anë të Çobës, ndërsa Gruda në minutën e 31-të kompletoi përmbysjen.

Për ta bërë më të besueshme fitoren e shkodranëve ka menduar Balaj, i cili në minutën e 54-ët ka arritur të mposhtë me një gjuajtje me kokë portierin e dinamovitëve, Sali, për të firmosur për 3-1, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide.