Trajneri i kombëtares U-19, Ervin Bulku ka publikuar të shtunën listën me emrat e 23 lojtarëve të ftuar për dy miqësoret e radhës, ato me Turqinë. 11 lojtarë vijnë nga ekipet e kampionatit shqiptar, kurse 12 futbollistët e tjerë aktivizohen në kampionatet jashtë vendit. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bulku do të nisin grumbullimin të hënën e 9 tetorit në Tiranë, ndërsa do të stërviten në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” për katër ditë.
Dy miqësoret do të luhen në Turqi, në 14 dhe 17 tetor, në orën 16.00. Miqësoret ndaj Turqisë do t’i shërbejnë trajnerit Bulku dhe stafit të tij për të kolauduar grupin përfundimtar që do të luajë në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian U-19, në të cilin kuqezinjtë synojnë kalimin në ‘Elite Round’. Shorti i UEFA-s e ka vendosur kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. Sipas rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi kalojnë në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese. Fnalet e Evropianit U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.
