• Lajme kombëtare

Shqipëria dhe Kosova me bursë të përbashkët për shkëmbimin e energjisë elektrike

Gjirokastra 05 Mars 2024

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një bursë të përbashkët për energjinë elektrike, për konkurrencë më të drejtë dhe çmime të besueshme.

Përfshirja në Alpex – bursa shqiptare e energjisë elektrike e themeluar në vitin 2020 – u inaugurua të hënën në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri kosovar Albin Kurti.

Z. Kurti tha se falë bashkëpunimit dypalësh, dy vendet kanë mundur të përballojnë krizat energjetike vitet e fundit: Shqipëria u furnizua me energji të bollshme nga Kosova verën e kaluar dhe qytetarët e bizneset e Kosovës kaluan një dimër më të ngrohtë falë energjisë së marrë nga Shqipëria.

Sikur Kosova të mbetej ende treg i izoluar i energjisë, do të kishim tregtuar 9.134 megavatorë energji gjatë muajit shkurt, ndërsa me bashkimin e tregjeve me Shqipërinë, që njihet si ‘market coupling’, kjo shifër arrin në 28.106 megavatorë, pra më shumë se trefish.

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat,” deklaroi kryeministri Kurti.

E pranishme në ceremoninë e funksionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës ishte edhe ministrja kosovare e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rëndësia e kësaj burse dhe funksionimi i përbashkët i tregjeve tona të energjisë elektrike është e vështirë të përshkruhet, sepse është shumëdimensional dhe ndikimet e tij nuk i shohim vetëm sot, por do i shohim ato përgjatë viteve që vijnë. Ky përafrim siguron pajtueshmëri dhe vendos Kosovën dhe Shqipërinë brenda tregjeve europiane të energjisë dhe Alpex është një bllok i rëndësishëm në zbatimin e reformave dhe të obligimeve që kemi për t’u integruar në tregun europian të energjisë elektrike deri në vitin 2030,” u shpreh znj. Rizvanolli.