Qeveria ka bërë një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2023, miratuar për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të zhvillohen me 14 maj 2023.
Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, që publikohet nga rtsh.al, qeveria vendosi sot që Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, t’i shtohet fondi prej:
a) 1 993 610 933 lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
b) 606 389 067 lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
Sipas vendimit, efekti financiar përballohet:
a) 1 800 000 000 lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;
b) 800 000 000 lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.