Ky është Vehip Gagani, samarxhiu i vetëm që ka mbetur në tregun e mjeshtrive tradicionale në pazarin e Gjirokastrës. Ai trashëgoi nga gjyshi ,jo vetëm zanatin e mbathësit të kuajve, që në gjuhën e zanatçinjve njihet me emrin “Nallban”, por edhe emrin e tij. Mjeshtri sjell zanafillën e zanatit që anonte herë herë nga nallbani e herë nga samarxhiu por që mbijetuan e u harmonizuan mjaft natyrshëm si dy zeje që po mbushin shekullin nga brezi në brez. Pas viteve 90-të pasi shumë sektorë shtetëror shkuan drejt privatizimit, ai hapi punishten e tij në shërbim të kuajve, kafshës që i qëndron shumë afër njeriut dhe i ka shërbyer përgjatë gjithë udhëtimit të tyre të përbashkët. Samarxhiu me gjilpërë në dorë e me çekic tregon se e dashuron zanatin e tij dhe se ai nuk është i vështirë. Cilësia nis tek sigurimi i lëndës së parë për samarët që sigurohet nga pyjet e zonës. Usta Vehipi e ka krijuar prej dekadash rutinën e tij të punës që nga mëngjesi deri kur mbyll punishten e tij. Një ditë që pret e përcjell klientët që vijnë kryesisht nga fshatrat por edhe ata që kanë pasion kalërimin. Si çdo zanat tradicional që mbështetet mbi traditën tonë të jetesës dhe përditshmërisë edhe zanati i samarxhiut po venitet dhe ka shkëndija të pakta që dikush të vijoj udhën e pakëputur ndër shekuj të këtyre punimeve që kanë siguruar të ardhura për zanatçinjtë dhe shërbime ndaj njerëzve. Vehip Gagani thotë se nga familja nuk mund ta trashëgojë kush pasi ka vetëm dy vajza.
- Figura të shquara