Ambasada e SHBA ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar të martën (17 shtator) mes kryeministrit Edi Rama dhe gjeneralit amerikan, Christopher Cavoli. Në Facebook, ambasada amerikane shkruan se në takim u theksuan lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes mes SHBA dhe Shqipërisë.
Ambasada amerikane e konsideron kuç rolin e Shqipërisë në NATO, teksa thekson se përpjekjet e përbashkëta ushtarake mes dy vendeve janë jetike për paqen në rajon.
“Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, u takua dje me Kryeministrin Edi Rama. Takimi theksoi lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë rolin kyç të Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet e përbashkëta ushtarake, të cilat janë jetike për çuarjen përpara të paqes në rajon dhe më gjerë”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.
Gjenerali Christopher Cavoli ndodhet në një vizitë në Tiranë, ndërsa mori pjesë në Konferencën e 27 të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut. Ditën e djeshme, Cavoli zhvilloi edhe një takim me Presidentin Bajram Begaj.