• Libohovë

“Summer Camp 2023”/Për herë të parë nga bashkia e Libohovës

Gjirokastra 21 Korrik 2023

Një verë ndryshe për fëmijët e Libohovës. Për dy javë ata  po kalojnë ditë së bashku në mënyrë të organizuar falë kampit veror të çelur nga Bashkia, për herë të parë. Janë rreth 30 fëmijë të grupmoshës 5-13 vjeç që e frekuentojnë  përditë programin që ofrohet me një kalendar të pasur aktivitetesh, ku i kushtohet rëndësi si lojrave sportive ashtu edhe kërcimit, recitimit, vizatimit , leximit të tregimeve e përrallave.

“Kalojmë shumë mirë këtu. Bëjmë lojra, vizatojmë, kërcejmë, këndojmë”,- thotë një nga vajzat.

“Organizojmë shumë aktivitete dhe po argëtohemi me njëri – tjetrin”, – shprehet një prej djemve pjesëmarrës.

“Fëmijët i kemi të moshave nga 5 deri në 13 vjeç. Kemi vendosur këtë tagër për të patur më të lehtë menaxhimin e tyre dhe të programit se janë fëmijë që mund të kenë të njëjtat dëshira dhe të njëjtat lojra për të luajtur. Në programin e përditshëm kemi edhe lojra argëtuese dhe edukative, si përralla, gjëegjëza, fjalë të urta, fjalëkryqe për t’i stimuluar fëmijët që librin ta mbajnë gjithmonë afër. Shohim që dita-ditës fëmijët shtohen dhe janë frekuentues të rregullt. U pëlqen që ta zgjatim programin, pavarësisht se kemi një orar të kufizuar për shkak të temperaturave të larta. Shpresoj që “Summer Camp” ta kemi dhe vitet në vazhdim”, – shprehet drejtuesja e kampit, Fatime Beqo.

Fëmijët libohovitë u bënë edhe pjesë e emisionit për fëmijë që në RTSH Gjirokastra që drejtohet nga aktorja Liljana Ristani e cila u tregoi dy përralla me mesazhe edukuese, ndërsa ata interpretuan poezi.