Situata buxhetore e Francës është shumë e rëndë. Kështu u shpreh për agjencinë e lajmeve AFP kryeministri francez Michel Barnier. Para se Barnier të emërohej kryeministër në fill të këtij muaji, Franca u bë subjekt i një procedure zyrtare për shkelje të rregullave buxhetore të bashkimit evropian.
Banka e Francës ndërkohë paralajmëroi këtë javë se nuk ishte realist plani për rikthimin e vendit në normat e parashikuara evropiane të deficitit deri në vitin 2027. Deficiti i sektorit publik të Francës është parashikuar që këtë vit të shkojë në 5.6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe vitin e ardhshëm të kapë vlerën e më shumë se gjashtë për qind të këtij prodhimi, ndërkohë që sipas rregullave të Bashkimit evropian niveli tavan i deficitit duhet të jetë rreth tre për qind i PBB.
Barnier ndërkohë po shqyrton mundësinë për rritjen e taksave në mënyrë që të stabilizojë financat e vendit, një masë kjo që presidenti Makron e ka refuzuar vazhdimisht qëkur u bë president rreth shtatë vite më parë. Po shoh se situata buxhetore e vendit është shumë e rëndë.
Që të zgjidhet, kjo situatë ka nevojë jo për fjalë por për vepra të përgjegjshme, u shpreh Barnier. Kryeministri i ri, të cilit i duhet të caktojë edhe emrat e ministrave të rinj, pritet që muajin e ardhshëm të paraqesë në parlament buxhetin për vitin 2025, çka do të jetë edhe testi i parë madhor për administratën e re.