Monumentet e natyrës ,por edhe objektet e kultit në zonën e Pogonit kanë nxitur gjatë javëve të fundit kureshtjen e shumë vizitorëve të huaj . Madje, ky zhvillim ka surprizuar edhe vet banorët e zonës, duke pasur parasysh faktin se infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar.
Ujëvara e Selckës ,por edhe objektet e kultit në Hllomo, Çatistër ,Sopik dhe Skore janë destinacionet e adhuruesve të natyrës së egër. Kurse , kulinaria në qendrën e zonës, në fshatin Poliçan vazhdon të ngelet destinacion kryesisht i vizitorëve vendas.
Por çfarë duhet bërë në të ardhmen ,në mënyrë që të shtohen vizitorët dhe eksploruesit e natyrës në zonën e Pogonit ? Thoma Naka, botues i njohur dhe një nga aktivistët e shquar për çeshtje shoqërore dhe kulturore ,jep mendimin e tij për zhvillimin e turizmit në vendlindje.
” Natyrisht, ne banorët e Pogonit ndjejmë kënaqësi të veçantë kur shohim që vijne dhe vizitojnë fshatrat tona, eksplorojnë natyrën tonë vizitorë të huaj.
Së pari, nevojitet të përmirësohet ndjeshëm infrastruktura rrugore, në mënyrë që të shtohet numri i vizitorëve në zonën tonë.
Së dyti, si botues që jam mendoj se duhen pëgatitur guida turistike për promovimin e resurseve natyrore dhe kulturore të zonës tonë. Unë, personalisht, kam filluar punën për përgatitjen e fletë palosjeve në tre gjuhë : greqisht, shqip dhe anglisht.”
Megjithatë, në këto ditë gushti të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Pogon janë mbushur me banorë , me djem e vajza , burra, gra dhe fëmijë që janë kthyer nga emigracioni.