• Lajme kombëtare

Plagosi policin, prangoset Klered Bozhanaj, 600 forca policore në aksion  

Ledja Fili 21 Shtator 2023

Merr fund arratia e Klered Bozhanajt, i cili dyshohet se është autori i plagosjes së policit, Edlir Alleshi mbrëmjen e djeshme. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila informon se pas një ndjekje maratonë dhe intensive, ka vënë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të policies. 

Për kapjen e tij ishin angazhuar 600 forca policore, si dhe për çdo informacion që çonte në prangosjen e Bozhanajt policia vuri një shpërblim prej 20 mijë eurosh.   

“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se: Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale atij i është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë krimit.

Balla: Zero tolerancë kush dhunon policinë

Arrestimi i Bozhanajt është vlerësuar edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, I cili ka përgëzuar Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të “Shqiponjave” mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

“Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.” deklaron Balla.

Ministri premton se do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.

“Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit.”, thuhet në reagimin e ministrit Balla.

Ngjarja

Një efektiv i forcave “Shqiponja” mbeti i plagosur me armë zjarri të mërkurë (20 shtator) në Tiranë.

Nëpërmjet një njoftimi, Policia bëri me dije se ngjarja u regjistrua në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, ku një patrullë e forcave “Shqiponja” ishte vënë në ndjekje të një personi të që qarkullonte me armë zjarri, i identifikuar si Klered Bozhani.

Gjatë ndjekjes, Bozhani dyshohet se ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, ku për pasojë mbeti i plagosur efektivi me Edlir Alleshi, i cili u transportua në spital.