• Lajme nga bota

Nis lufta tregtare, Komisioni Europian vendos tarifën prej 25% ndaj automjeteve elektrike nga Kina

Gjirokastra 12 Qershor 2024

Komisioni Europian njoftoi vendosjen e tarifave të shtuara për importin e automjeteve elektrike nga Kina që do të arrijnë në disa miliardë euro, sipas raportimeve të Financial Times, shkruan ScanTV. 

Duke iu përgjigjur kërkesës urgjente të industrisë europiane të makinave për të frenuar një fluks të makinave elektrike kineze të financuara nga shteti në Bashkimin Europian, Komisioni do të njoftojë se nga korriku do të vendosen tarifa deri në 25% të vlerës së çdo automjeti elektrik kinez.

Muajin e kaluar, SHBA ndërmori një veprim vendimtar. Administrata Biden ka rritur tarifat e saj për importet kineze të makinave me bateri nga 25% në 100%. Shitjet e automjeteve elektrike të prodhimit kinez në SHBA janë aktualisht të papërfillshme dhe me tarifat e reja ka të ngjarë të mbeten të tilla.

Ndërhyrja e SHBA-së ishte pjesë e një pakete më të gjerë masash që synojnë importet nga Kina.

Pekini ka reaguar duke e dënuar dhe cilësuar si “proteksionizëm i hapur”. 

Në të njëjtën kohë, SHBA subvencionon industrinë e vet të automobilave përmes stimujve tatimorë që i bëjnë automjetet e prodhuara në vend më të lira.

Nga ana e tij, Bashkimi Europian duket se po ndërmerr një qasje më të moderuar, pavarësisht retorikës së ashpër. 

Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit shtatorin e kaluar, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi një hetim mbi importet kineze. Ajo theksoi se tregjet globale tani janë përmbytur me makina elektrike kineze më të lira. Sipas saj çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha të qeverisë duke bërë që tregu i BE-së të deformohet. Rezultatet fillestare të këtij hetimi europian pritet të bëhen publike shumë shpejt.

Sipas Scan TV