• Raportime

Në qendrën shëndetësore në bashkinë e Libohovës vijon vaksinimi i vajzave te moshës 13-18 vjeç kundër HPV-së

Ledja Fili 07 Shtator 2023

Nën moton “Vaksinoni vajzën tuaj”, që prej nëntorit të vitit të kaluar në të gjithë vendin ka filluar vaksinimi i vajzave të moshës nga 13-18 vjeç me vaksinën e cila parandalon kancerin e qafës së mitrës. Edhe pse ka patur një interes nga prindërit për vaksinimin ndaj virusit të Papilomës Humane, asnjëherë nuk është e tepërt thirrja nga ana e mjekëve për marrjen e kësaj vaksine për të parandaluar infeksionet që shkaktojnë kancerin. Edhe  në qendrën shëndetësore “Llukman Hasani” në bashkinë e Libohovës, vaksinatorja, Aurora Karavidha i bën thirrje prindërve të vajzave t’i dërgojnë ato pranë qendrës shëndetësore për tu vaksinuar. Sipas znj. Karavidha kjo vaksinë ofrohet  falas për të gjitha vajzat.  Vaksina kundër HPV-së është një mënyrë e sigurt dhe e besueshme për të mbrojtur vajzat e reja ndaj kancerit të qafës së mitrës dhe nuk shkakton asnjë efekt tjetër anësor. Ndërkohë nga ana e Institutit te Shëndetit Publik është planifikuar dhe një fushatë vaksinimi tek vajzat në moshën 14-20 vjeç, e cila pritet të nisë në janar të vitit 2024. Referuar vendeve të tjera të cilat prej vitesh aplikojnë vaksinën kundër Human Papilloma Virusit, reduktimi i sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës ka qenë i dukshëm. Ndërsa në Shqipëri efektet priten pas 10 vitesh