• Dropull

N. Janis: Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë do të normalizohen

Gjirokastra 12 Gusht 2023

Nëpunës të lartë të Komisionit dhe të Parlamentit Evropian ishin pjesëmarrës në Koferencën që u zhvillua në Bashkinë e Dropullit, me qëllim hartimin e strategjisë për zhvillimin e turizmit, bujqësisë, kulturës ,agroturizmit,si dhe përfshirjen e njësive vendore që jeton Minoriteti Etnik Grek në projektet ndërkufitare.
Ishin të pranishëm, zoti Nikos Janis, nëpunës i lartë në Komisionin Evropian dhe kandidat për eurodeputet, zonja Panajota Ballopullu, nëpunëse e lartë në administratën e Parlamentit Evropian, zoti Babis Papaioanu, specialist i Programit Erasmus në Bruksel, Konsulli i Përgjitshëm i Greqisë në Gjirokastër, zoti Dhimitrios Saharidhis, Kryetari i Bashkise Dropull , zoti Dhimitraq Toli, Nënkryetari i Bashkisë Finiq, zoti Jani Harisi, përfaqësues të biznesit, si dhe përfaqësues të Organizatave Jofitimprurëse që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë.
Eksponenti i administratës së Komisionit Evropian, zoti Nikos Janis, bëri deklaratën e mëposhtme për Televizionin Publik Gjirokastra :

” Sipas mendimit tim Shqipëria paraqet një dinamikë të madhe. Prandaj, si europianë por edhe si nëpunës të Bashkimit Evropian me origjinë nga Greqia, kemi detyrimin të kontribuojmë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë .
Mendoj se kushtet e zhvillimit ekonomik të vendit janë shumë të mira. Shpresoj se problemet politike së shpejti do të tejkalohen dhe kam një ndjesi se Shqipëria për shumë pak vite do të jetë shumë afër apo anëtare e Bashkimit Evropian.
Qëllimi është që ne të kontribuojmë për këtë. Si qytetarë, si qytetarë evropian, si qytetarë grek.
Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin në rajon.
Prandaj organizohet edhe ky takim. Të ndihmojmë për zhvillimin ekonomik të zonës, të cilën e kanë nevojë njerëzit në rradhë të parë, si dhe të krijojmë rrjetin me përfaqësues nga tre fusha, të politikës, të iniciativës private dhe të organizatave jofitimprurëse. Çka është shumë e nevojshme sipas frymës evropiane për krijimin e kushteve të shendetshme zhvillimi.”

Gjithashtu, në përshëndetjen e tij gjatë kësaj koference ,kryebashkiaku i Dropullit, zoti Dhimitraq Toli, vuri theksin tek hartimi i strategjive të përbashkëta midis pushtetit vendor, biznesit dhe organizatave të ndryshme, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fonde nga projektet ndërkufitare të Bashkimit Evropian.