Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të miratojë sot rezolutën e hartuar nga palestinezët ku kërkon që Izraeli t’i japë fund pranisë së paligjshme në territorin e pushtuar palestinez brenda 12 muajve.
Aksioni do të izolojë Izraelin disa ditë përpara se liderët botërorë të udhëtojnë në Nju Jork për mbledhjen e tyre vjetore të OKB-së.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh më 26 shtator, në të njëjtën ditë me presidentin palestinez Mahmud Abbas.
Projekt-rezoluta synon të mirëpresë një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në muajin korrik bëri të ditur se pushtimi i territoreve dhe vendbanimeve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe ushtria izraelite duhet të tërhiqet.
Opinioni këshillimor – nga gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore – thotë se kjo duhet të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur”, megjithëse projekt-rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme lejon një afat kohor 12-mujor.
Projekt-rezoluta është e para që paraqitet zyrtarisht nga Autoriteti Palestinez pasi fitoi të drejta dhe privilegje shtesë këtë muaj duke përfshirë një vend midis anëtarëve të OKB-së në sallën e asamblesë dhe të drejtën për të propozuar projekt-rezoluta.
Ambasadorja e SHBA-ve në OKB Linda Thomas-Greenfield u bëri thirrje vendeve të votojnë kundër të mërkurën.
Uashingtoni – një aleat i Izraelit – ka kundërshtuar prej kohësh masat e njëanshme që minojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Opinioni këshillimor i GJND-së nuk është detyrues, por ka peshë sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të dobësojë mbështetjen për Izraelin.
Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme gjithashtu nuk është detyruese, por ka peshë politike.
“Çdo vend ka një votë dhe bota po na shikon. Ju lutemi qëndroni në anën e duhur të historisë. Me ligjin ndërkombëtar, me lirinë, me paqen”, tha ambasadori palestinez në OKB Riyad Mansour në Asamblenë e Përgjithshme.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, kritikoi Asamblenë e Përgjithshme që sipas tij nuk dënoi sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga militantët palestinezë të Hamasit që shkaktoi më pas sulmin e Izraelit në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi.
Ai hodhi poshtë draft tekstin palestinez, duke thënë: “Le ta quajmë këtë ashtu si është: Kjo rezolutë është terrorizëm diplomatik, duke përdorur mjetet e diplomacisë jo për të ndërtuar ura, por për t’i shkatërruar ato”.