• Memaliaj

Hasan Nana veterani më i vjetër i minierës së Memaliajt, 85 vjeçari në një rrëfim për jetën plot sakrifica në galeritë e nëndheshme

Gjirokastra 09 Tetor 2023

Hasan Nana me origjinë nga fshati Krahës është aktualisht veterani më jetëgjatë dhe i vjetër i ish minierës së Memaliajt e cila gjatë ekzistencës së saj ishte burim finaciar për pjesën dërrmuese të këtij qyteti.85 vjeçari Nana rrëfen plot emocion dhe mallëngjim vështirësitë dhe sakrificat që ka kaluar si ish minator punë që e ka nisur prej vitit 1954 biles ka rrezikuar dhe jetën aksidentalisht duke patur plagë në supet dhe krahët e tij.
Xha Hasani siç e thërrasin bashkëqytetarët del shpessherë në sheshin qendror të Memaliajt dhe e shikon me shumë krenari statujën prej bronzi të minatorit duke e kthyer memorien e tij në shumë vite pas.Ai i është bashkuar ndërkaq nismës që ka ndërmarrë bashkia e Memaliajt për ngritjen e muzeut të minatorit duke dorëzuar veglat e punës të cilat i dhe i tregon gjatë bashkëbisedimit.
85 vjeçari Nana apelon ndaj organeve kompetente që të njihet statusi i minatorit,
shpërblimin e denjë për jetët e humbura në thellësitë e nëntokës dhe vlerësimin për ata mijëra minatorë që çdoherë futeshin në galeritë e nëndheshme me frikën se mund të mos dilnin më prej andej.
Në vitin 1966, Memaliaj kishte tre sektorë që zhvilloheshin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri brenda fushës qymyrmbajtëse. Në atë kohë në minierë punonin rreth 550 minatorë nëntokë që nxirrnin rreth 160 mijë ton qymyr në vit.
Miniera është sot e zhveshur nga shkëlqimi i dikurshëm.E heshtur në këtë cep të harresës është dëshmi e një kohe lulëzimi dhe jete. Krah saj shtrihet qyteti i Memaliaj, krijesa e saj. Godinat gjysmë të rrënuara dhe të boshatisura janë të vetmet relike të një kohe kur jeta gjallëronte me të gjithë bukurinë e vet.Sot nga ajo kohë ka mbetur vetëm dhimbja dhe kujtimet e atyre që e jetuan siç është veterani minator 85 vjeçari Hasan Nana