Hamasi ka deklaruar se përgjigja e tij ishte “pozitive” ndaj planit të armëpushimit të SHBA-së për luftën në Rripin e Gazës. Në përgjigjen e dorëzuar te ndërmjetësit Egjipti dhe Katari, Hamasi tha se i ka shtuar marrëveshjes kërkesat e kahershme që nuk plotësoheshin nga plani aktual.
Egjipti dhe Katari thanë se kishin marrë përgjigjen e Hamasit, por nuk e zbuluan përmbajtjen.
Një anëtar i byrosë politike të Hamasit tha se përgjigja e grupit ishte “përgjegjëse, serioze dhe pozitive” dhe “hap një rrugë të gjerë” për një marrëveshje.
Një zyrtar tjetër i Hamasit tha se përgjigja ripohoi qëndrimin e lëvizjes se një armëpushim duhet të çojë në përfundimin e përhershëm të armiqësive në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e enklavës palestineze dhe lirimin e të burgosurve palestinezë në Izraeli.
“Ne përsëritëm qëndrimin tonë të mëparshëm. Besoj se nuk ka boshllëqe të mëdha. Topi tani është në oborrin izraelit,” tha zyrtari i Hamasit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Izraeli e ka pranuar propozimin e tij, por Izraeli nuk e ka deklaruar publikisht këtë. Izraeli ka vazhduar sulmet në Gazën qendrore dhe jugore që janë ndër më të përgjakshmet e luftës. Kryeministri Benjamin Netanjahun (Netanyahu) ka thënë vazhdimisht se Izraeli nuk do të angazhohet për t’i dhënë fund fushatës së tij në Gaza përpara se Hamasi të eliminohet.
Një zyrtar izraelit tha se Hamasi “ka refuzuar propozimin për lirimin e pengjeve që u paraqit nga Presidenti Biden”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi në favor të një rezolute të SHBA që mbështet një armëpushim dhe lirim gradual të pengjeve izraelitë në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael, duke çuar në fundin e një lufte.