Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet “Doktor në filozofi”.Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedegogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.
Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë “Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, “Hyrja në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari” i Gjon Buzukut, etj.
Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Vdiq në Romë më 1980.