Pas një vëzhgimi të Televizionit Publik Gjirokastra dhe kontakteve tona me rregjistrues të Censusit 2023, por edhe me banorë të zonave ,të cilat banohen kryesisht me anëtarë të Minoritetit Etnik Grek, na rezulton se proçesi në njësitë vendore të Dropullit dhe të Finiqit po ecën pa probleme substanciale.
Përfshirja në proçes e strukturave të pushtetit vendor, siç parashikohet në legjislacionin që është në fuqi, ka zbutur edhe qëndrimin e Organizatës Omonia, Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek. Kjo e fundit, në deklaratat e saj publike ,si dhe në kontaktet apo takimet me përfaqësues të Këshillit të Evropës, në fakt ka ashpërsuar tonet, por u referohet problemeve që ka identifikuar, siç pretendon, në njësi vendore të tjera në qarqet jugore apo juglindore, përveç Dropullit dhe Finiqit.
Nga informacionet paraprake që Televizioni Gjirokastra disponon në rrugë operative, bëhet e ditur se në 20 ditët e para të proçesit gjashtë javor janë intervistuar pothuajse gjysma e banorëve dhe banesave në 8 njësitë administrative në keto dy bashki. Gjithashtu, punët e stinës në bujqësi, blektori apo frutikulturë ,po detyrojnë një pjesë të banorëve të kthehen në vendlindje në këto ditë të para të tetorit. Megjithëse, në këto bashki kufitare lëvizjet e popullsisë janë më të shpeshta në krahasim me pjesën tjetër të vendit.
Për momentin, komisionet përkatëse të Rregjistrimit të Popullsisë dhe të banesave në Dropull dhe Finiq, nuk kanë pranuar të na vënë në dispozicion shifra konkrete dhe konkluzionet paraprake të punës së deritanishme.
Përvoja e hidhur e Rregjistrimit të Popullsisë dhe të banesave të vitit 2011 në Minoritetin Etnik Grek, pas bojkotit që imponuan politikisht një pjesë e partive lokale, duket se ka ndërgjegjësuar të gjithë aktorët dhe faktorët publikë në Dropull dhe Finiq. Kjo lidhet direkt edhe me faktin e pakësimit të granteve nga pushteti ekzekutiv drejt atij administrativ gjatë periudhës 2012-2023.
Tashmë, të gjithë mendojnë dhe shpresojnë se realizimi i një proçesi transparent dhe real në këto dy njësi vendore, përkthehet në rritjen e fondeve dhe grandeve nga qeveria shqiptare në shërbim të 62 mijë banorëve ,të cilët janë të rregjistruar në rregjistrin themeltar të gjëndjes civile ne këto njësi vendore. Përkatësisht, rreth 23 mijë banorë në Dropull dhe 39 mijë banorë në Finiq.
Natyrisht, duke përjashtuar nga ky proçes një pjesë të emigrantëve që mbajnë me vendlindjen marrëdhenie ” me korrespodencë”.
Si konkluzion, ” çelësi” i suksesit i një proçesi të rëndësishëm në Dropull dhe Finiq varet nga “pesha ” e fjalëve bashkëpunim dhe mirëkuptim. Sa midis pushtetit vendor dhe strukturave shtetërore siç janë zyrat e gjëndjes civile dhe policia e shtetit, aq edhe midis intervistuesve dhe vet banorëve. Gjithmonë , duke evituar dritëhijet që helmojnë bashkëjetesën pamvarësisht origjinës dhe pikënisjes së tyre.