• Dropull

Pogon, inagurohet busti i Peshkopit Sofianos

Gjirokastra 21 Gusht 2023

Shoqata e Poliçanitëve të Diasporës ,organizoi në qendrën administrative Pogon, Bashkia Dropull, një aktivitet kushtuar Peshkopit të Dropullit dhe të Gjirokastrës, Sofianos, në fund të shekullit të XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, i cili njihet në të gjithë rajonin e jugut për kontributin e tij të shquar për të penguar ndërrimin me dhunë të besimit fetar nga pushtuesit otoman.

Në këtë ceremoni ,ku merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë Dropull, zoti Dhimitraq Toli, Konsulli i Përgjitshëm i Greqisë në Gjirokastër , zoti Dhimitrios Saharidhis, si dhe banorë të zonës, u zhvillua edhe ceremonia e inagurimit të bustit kushtuar Peshkopit Sofianos.

Kryetari i Shoqatës, zoti Theodhos Manxhari, thotë se kontributi i Peshkopit nga Poliçani është i jashtëzakonshëm , ndërkohë që në të ardhmen do të organizohen aktivitete të tjera për të përkujtuar dhe nderuar personalitetet historike të fshatit.

Gjithashtu , edhe anëtaret e kryesisë së shoqatës, Aneta Kushta dhe Vasiliqi Paspali ,shprehen shumë të emocionuara për ceremoninë e zhvilluar në Poliçan. Madje, falenderojnë banorët e fshatit për mbështetjen që po i japin Shoqatës së Diasporës.

Kurse autori i veprës , skulptori dropullit Vangjel Ilia, ia lë publikut vlerësimin për bustin kushtuar Peshkopit.
” Kam punuar me këmbëngulje këto 4-5 muajt e fundit dhe duhet te përshtasja veprën me personalitetin e Peshkopit”, deklaron skulptori për Televizionin Gjirokastra.

Në këtë kuadër , Profesori i Teologjisë në Universitetin “Aristotelio” të Selanikut, zoti Mihalis Tritos, shpalli iniciativën për t’i kërkuar Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë shenjtërimin e Peshkopit Sofianos.