Rritja galopante e numrit të vizitorëve të huaj në fshatrat e Tepelenës po krijon padyshim një sadisfaksion pozitiv edhe tek emigrantët.
Megjithëse disa prej tyre janë akoma skeptik për kthimin në vendlindje, përsëri nuk e mohojnë se e ëndërojnë këtë ditë.
Ermal Prasta nga fshatrat e Tepelenës është një nga katër mijë emigrantët që punojnë dhe jetojnë në shtetin e Maltës. Ne zhvilluam me të një bashkëbisedim , ku shpreh hapur dyshimet e tij për t’ u kthyer në këtë moment nga emigracioni.
Sipas Ermalit, rritja e numrit të vizitorëve të huaj në zonën e Kurveleshit natyrisht që impresionon gjithë emigrantët që janë kthyer në vendlindje këto ditë të gushtit. Ai punon prej katër vitesh në Maltë, me dokumentacion të rregullt, në ndërtim por edhe si berbe . Madje, është i kënaqur me të ardhurat ,por…nuk e fsheh dëshirën e madhe që ka për t’u kthyer në vendlindje,nëse do t’i garantohen të ardhura të përafërta me ato që siguron në Maltë.
Si Ermali, janë me mijëra emigrantë që janë kthyer nga emigracioni këto ditë në fshatrat e Tepelenës, të cilët çmallen me vendlindjen dhe shijojne ditët e pushimit me të afërmit dhe bashkëfshatarët e tyre.