Pas një pune shumë vjeçare pa dritën e botimit një e treta e kostumografisë së rrethit të Gjirokastrës. Bëhet fjalë për atë të krahinës së Dropullit e cila ndahet në tre njësi administrative Dropulli i Sipërm, Dropulli i Poshtëm dhe Pogon. Është etnografi Stavri Çati që pas afro 6 dekadash punë studimore sjell albumin me 361 faqe me kostumet që nga periudha parahistorike e deri në ditët e sotme, nën titullin “Veshjet popullore në Dropull e Pogon”. Çati për tv tonë shprehet se ajo çka vihet re ndër vite është se në kostumet e kësaj krahine kanë humbur motivet, ndërsa kanë dalë nga përdorimi pothuajse katër materialet që përdoreshin dikur të cilat sot janë zëvendësuar me atllas,najlon, terital etj duke e shndëruar kostumin popullor në skenik.
“Kam sjellë kostumet si kanë qënë në fillim duke nisur nga periudha parahistorike, romake, byzantine, otomane dhe si kanë ardhur deri në ditët e sotme. Është edhe momentin kur kanë kaluar në kostume skenografik.Kostumi popullor është ai që ka veshur populli. Këto që riprodhohen sot janë jo me materialet bazë, por me najlon, atllas, tantella të stampuara, terital etj. Shkëlqen më shumë nga pamja e jashtme, por nga e brendshme fare i thjeshtë. Ka humbur deri diku motivi i parë te kostumi në të gjitha zonat. Shumë pak kanë mbetur. Janë zëvendësuar me motive të tanishme. Në kostumet e para qepjet e çdo gjë bëheshin me dorë, ndërsa sot i bën industria. Motivet për të treguar krahinën nuk i gjejmë. Kjo gjë kuptohet shumë mirë po të hapësh librin. I jepet një bukuri e jashtme dhe motivi që është kryesori mungon”, – thotë etnografi Stavri Çati.
Ky album u realizua në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Letërsisë e Qytetërimit Grek në universitetin “Eqrem Çabej” dhe u botua me mbështetjen e fondacionit “Leventi” në Qipro.Çati ka gati për botim edhe studimin mbi kostumet popullorë të 5 zonave të tjera etnografike të Gjirokastrës që janë: qyteti, Lunxhëria, Zagoria, Kardhiqi e Libohova