• Turizëm dhe Kulturë

“Turizëm i egër, Natyrë e qetë”, në Vjosën e aventurës

Gjirokastra 18 Mars 2023

Lugina dhe lumi i Vjosës i emëruar sot si zemra blu e Europës ,është një nga monumentet e rralla natyrore të zonës së Përmetit. Lumi rrjedh i lirë dhe i pandërprerë nga malet e Pindit Greqi, përgjatë grykave të larta e të thella të zonës së Përmetit e Tepelenës, deri në derdhjen në detin Adriatik. Vjosa i ka mbijetuar mrekullisht dekadave të shkatërrimit në hapësirën ballkanike dhe sot ai është  ndër të vetmit lumenj të egër të Europës me një ekosistem unik të rrallë, të paprekur nga dora e njeriut. Lumi i dytë në Shqipëri pas Drinit, për nga gjatësia dhe rëndësia Vjosa veçohet për një biodiversitet të larmishëm, ku dhe rrjedha e lumit kanë mbetur të virgjër.

Lugina me lumin dhe gjithë hapësira e gjelbër dhe të pyllëzuar rreth tij,  që në të majtë ngjizet deri në vargmalin Kiçok-Qarrisht –Dangëlli dhe në të djathtë Trebeshin –Dhëmbel –Nemërçkë janë pasuri me rreth 1100 specie të ndryshmebimësh dhe kafshësh. Këto veçori e bëjnë luginën dhe lumin e Vjosës, jo vetëm një monument të magjishëm natyror, por edhe një pasuri ekonomike për zhvillimin e turizmit të aventurës. Duke e nuhatur këtë mundësi të artë që të ofron Vjosa për zhvillimin e turizmit të aventurës, ku përfshihet edhe sporti i raftingut, të rinjtë përmetarë  Elton Pashollari dhe Ahmet Berzani ngritën kompaninë “Rafting Vjosa Albania”, kompania e parë e ekoturizmit Përmetar.

Mosha 7 vjeçare e kompanisë dhe puna plot pasion e Eltonit dhe Ametit me shokët e tyre të trajnuar në Greqi e rritën cilësisht dhe masivisht raftingun lumor në trevën e Përmetit.

Zhvillimi i sportit të vështirë të guximshëm dhe me adrenalinë të lartë të raftingut në lumin e Vjosës, ka ndihmuar edhe bizneset e tjera për të promovuar traditat e pasura etno-kulturore, prodhimet e gatimet tradicionale bio të zonës, të lakmuara shumë nga turistët vendas dhe veçanërisht ata të huaj.

Të rinjtë e punësuar në kompaninë  “Rafting Vjosa Albania” duke vlerësuar resurset e mëdha turistike që të ofron zona shprehen optimist për të ardhmen dhe apolojnë për shfrytëzimin e këtyre resurseve nga të rinjtë përmetarë.