Qeveria shqiptare po punon për një projekt me qeverinë e Azerbajxhanit për ndërtimin e sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje në Korçë. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kreu i PS-së, gjatë një takimi elektoral në qytetin juglindor.
Rama u shpreh se ky është një projekt që do të nisë shumë shpejti, teksa e konsideroi atë një “lajm të mirë për pyjet dhe shëndetin”.
“Ne jemi duke punuar me qeverinë e Azerbajxhanit dhe projektin e parë i cili po finalizohet dhe për të cilin është gati edhe financimi, është projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës. Ky është një lajm i mirë për pyjet, për shëndetin. Patjetër që ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë biznesin, hotelerinë. Ky nuk është një projekt që do nisë pas shumë vitesh, por shumë shpejt, bashkë me të tjera projekte që i kemi përgatitur”, tha Rama.