• Lajme kombëtare

Zgjedhjet e 14 Majit, Escobar takohet me Enkelejd Alibeajn dhe Ilir Metën

Gjirokastra 12 Prill 2023

I dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vijon këtë të mërkurë (2 prill) ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë. Escobar ka zhvilluar një takim me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili shoqërohej në këtë takim nga deputetët Orjola Pampuri, Gazmend Bardhi dhe Kreshnik Çollaku. Nuk dihet ende se çfarë është diskutuar në takimin mes tyre.

Pas këtij takimi, Escobar është pritur dhe nga Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në selinë e partisë. Takimi me tyre ka zgjatur rreth 30 minuta. Pas bisedës me Escobar, Meta nuk ka dhënë detaje se për çfarë është biseduar, por në një postim në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se aleanca strategjike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe zgjedhjet vendore, kanë qenë në fokus të bisedës mes tyre.

Meta ka deklaruar se aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e vendit e rajonit.

Teksa ka vlerësuar angazhimin e SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, Meta shprehet se ky angazhim është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit të dialogut Prishtinë-Beograd.

Po ashtu, Meta bën me dije se zgjedhjet e 14 majit, do i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do rikthejnë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit. Meta ka nënvizuar para Escobar, vendosmërinë e partisë të cilën ai drejton, për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, shkuan Meta.

Këto takime vijnë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe vetëm 2 ditë para fushatës elektorale.

Escobar mbërriti në Tiranë një ditë më parë (11 prill), ku u takua me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Jashtme, OIta Xhaçka.

Ambasada amerikane ka evidentuar takimet e Escobarit me krerët e shtetit shqiptar duke theksuar se në këto takime është nënvizuar rëndësia e zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe nevoja e zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.