• Lajme kombëtare

Zbardhja e 6 vrasjeve gjatë 2021-2023, Rrumbullaku: U lëshuan 15 urdhërarreste, 3 ende në kërkim

Gjirokastra 28 Shtator 2023

20 ngjarje kriminale, nga të cilat 6 vrasje janë zbardhur falë dëshmisë së Artan Tafanit i cili tashmë ka statusin e të penduarit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje në lidhje me megaoperacionin “Kurrë nuk harrojmë”, e ndërmarrë për zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë kuadër, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë bërë të mundur zbardhjen e 6 vrasjeve, 5 rasteve të shkatërrimit të pronave, 3 rasteve të dhunës, 3 raste të dhënies së ndihmës për sigurimin e mjeteve të nevojshme për kryerjen e vrasjeve, ngjarje këto të ndodhura në Shqipëri, dhe zbardhjen e 2 vrasjeve të tjera të ndodhura në Greqi.

Artan Tafani është një prej autorëve të vrasjeve, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer vepra të rënda penale përgjatë periudhës kohore 2021-2023.

Nga provat e siguruara, Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 15 urdhërarreste nga të cilat 12 janë ekzekutuar dhe 3 persona janë shpallur në kërkim.

Gazetarja Flutura Tota në një lidhje live për RTSH 24 ka dhënë detaje mbi operacionin e ndërmarrë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit.  

Një grabitje e ndodhur 3 muaj më parë bëri që Tafani të shpallet në kërkim dhe pak ditë më parë ai u arrestua. Pas arrestimit, ai ka pranuar të bëhet i penduari i drejtësisë. Ne e pyetëm prokurorin se çfarë iu dha në këmbim Tafanit, por ai tha se për këto detaje do flitet më vonë.

Nga deklarimet e Tafanit përpara grupit hetimor, janë zbardhur 6 ekzekutime, 5 shpërthime me eksploziv, 3 tentativa për vrasje dhe 3 vjedhje me dhunë.

Këto ngjarje kriminale, kanë ndodhur që nga vitit 2021 për larje hesapesh dhe përfitime. Pasi i shumë kërkuari i drejtësisë që po vuan një dënim në Greqi, Leart Haxhiu, ka pasur përplasje me bandën e Aldo Bares, anëtarët e të cilit i ka ekzekutuar një më një, pasi Haxhiu rezulton të jetë organizatori dhe porositësi i të gjithë ekzekutimeve që ka kryer në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e tij”, tha Tota.