Policia e Francës ka arrestuar 150 persona në natën e dytë të protestave në Paris. Qytetarët e revoltuar ndaj vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia, kanë dalë mbrëmjen e së mërkurës (28 qershor) në protesta të dhunshme.
Qytetarët u pozicionuan në stacionet e policisë dhe ndërtesat e tjera institucionale, ku hodhën fishekzjarrë e eksplozivë, ndërsa dogjën dhe makina.
Vrasja e Nahel shkaktoi zemërim të madh te qytetarët, nga presidenti Emmanuel Macron deri te futbollisti Kylian Mbappé.
Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi fill pas ngjarjes, duke thënë se “asgjë nuk justifikon vdekjen e një të riu”.
“Dëshiroj të shpreh ndjenjat e të gjithë kombit për atë që ka ndodhur dhe vdekjen e të riut Nahel, dhe t’i tregoj familjes së tij solidaritetin tonë dhe përzemërsinë e kombit. Ne kemi një adoleshent që është vrarë. Është e pashpjegueshme, e pafalshme,” tha ai, duke shtuar se çështja u referua menjëherë në gjykatë, ku ai shpreson që drejtësia “do të bëjë punën e saj shpejt”.