• Lajme kombëtare

Vjosa “Park Kombëtar”/ Rama: Do bëjmë zonë të mbrojtur 30% të territorit. Investim 80 mln euro për trajtimin e ujërave të zeza

Ledja Fili 15 Mars 2023

Shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një moment historik. Në fjalën e tij nga Tepelena, kreu i qeverisë u ka dhënë një mesazh të gjithë europianëve që kanë qenë skeptik mbi këtë vendim dhe tentuan që qeveria të “mos zbuste tigrin” e Vjosës. Rama u ka kërkuar atyre që të bëjnë një “larje të ndërgjegjies”, teksa hodhi firmën e fundit për aktin final të statusit Park Kombëtar të lumit Vjosa.

“Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të europës. Në këtë rrugë patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Shumë europianë që tigrat e tyre të natyrës së tyre i kthyen në mase, u kthyen nga ne që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Atyre u japim mundësi që të bëjnë një larje të ndërgjegjes së tyre, ashtu sikundër mes tyre ne patëm fatin të takojmë njerëz të cilët janë vërtet bekim i këtij planeti”, tha Rama.

Kryeministri bëri me dije se aktualisht, Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur dhe objektivi i qeverisë, sikurse theksoi Rama, është që kjo shifër të shkojë në 30%.

“Sot Shqipëria ka 21 % të territorit zonë të mbrojtur, e kemi gjetur me shumë më pak kur morëm detyrën dhe ccdo vit rritëm sipërfaqen. Objektivi ynë ta çojmë në 30% territorin në zonë të mbrojtur. T’u japim njerëzve një perspektivë të re zhvillimi, për të cilën nuk mjafton të kesh Vjosën, por të dish se si. Këtu bëhet e domosdoshme gjetja e partnerëve dhe aleatëve të ditur.  Ne sot jemi krenar për shumë gjëra që kemi bërë në funksion të mjedisit”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë vuri theksin te nevoja për një reformë lidhur me menaxhimin e pyjeve, që sikurse tha ai, “për ti kthyer në mirësi dhe mirëqenie për të gjithë brezat, jo në zona ku vetëm disa të babëzitur që gllabërojnë sot për sot përfitojnë, ndërkohë që të tjerët dëmtohen përjetë”.

Sakaq, Rama bëri me dije se është në bashkëbisedim dhe me Greqinë, për të trajtuar shtratin e Vjosës, si një pasuri të përbashkët. Për Vjosën, kreu i qeverisë u shpreh se janë investuar 80 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza.

“Jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues dhe me fqinjët, Greqinë, kryeministrin, ministrin e mjedisit për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit. Dhe për ta trajtuar këtë shtrat të Vjosës si  një pasuri të përbashkët dhe për të bashkëpunuar dhe për financat për pjesën e parë me 80 mln usd që do vihen në dispozicion të këtij parku që të gjitha bashkitë dhe komunitetet e bashkive që përshkon lumi Vjosës të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë. Një projekt masiv për realizimet në të gjitha këto bashki dhe përpunimin e ujërave të ndotura. Pjesë e kësaj shume do jenë dhe mbështetjet financiare me grante apo kredi shumë të buta për bizneset që do zhvillohen në këtë territor. Biznese të reja dhe pranë natyrës”, tha Rama, teksa theksoi se do të ndërtohen gjithashtu dhe Fondacioni i Vjosës, që sipas tij do të bëjë menaxhimin e të gjitha resurseve.