• Gjirokastër

Viti i ri mësimor, Bashkia Gjirokastër ndërhyn për vënien në gatishmëri  të institucioneve arsimore

Gjirokastra 31 Gusht 2023

Për drejtorinë e arsimit në bashkinë Gjirokastër këto janë ditë intensive, pasi 11 shtatori duhet t’i gjeje të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar gati për të pritur nxënësit. Drejtori Ylli Muho shprehet se po punohet që brenda kësaj jave të përfundojnë të gjitha ndërhyrjet në kopshte për të filluar javën e ardhshme në disa shkolla ku ende nuk janë kryer punimet mirëmbajtëse.

“Jemi fokusuar në mirëmbajtjen dhe bërjen gati të infrastrukturës nëpër shkolla por edhe në kopshte e çerdhe. E kemi nisur nga këto të fundit se prindërit na kanë besuar dritën e syve. Kemi përfunduar me kopshtin  nr 6 në lagjen “Punëtori”, kopshti nr 4 në lagjen “11 janari” e vazhdojmë të ai nr 7. Në fund të javës përfundon puna në të gjitha këto godina e mandej do të fillojmë për zgjidhjen e problematikave në  shkolla”, – thotë Ylli Muho.

Ndërsa ka pak ditë që e ka marrë këtë detyrë Muho shprehet edhe mbi prioritetet e punës së tij, të cilat konsistojnë në krijimin e kushteve optimale për gjithë fëmijët që frekuentojnë çerdhet, kopshtet e shkollat e bashkisë Gjirokastër.

“Në një parje të parë, me marrjen e detyrës, shoh që ndër vite është punuar. Në punën time do kem tre prioritete kryesore. Higjena, duke përfshirë lyerjet në shkolla, tualetet dhe shmangien e lagështirës. Trajtimi ushqimor nëpër kopshte, gastronomia për fëmijë është shumë e gjerë dhe e larmishme dhe nuk do mbetemi stereotip të menuve të deritanishme në kopshtet tona. Ngrohja në institucionet arsimore, shpesh kemi ceduar në këtë drejtim, por duke marrë masa qysh tani unë kam besim absolute se dimri i sivjetshëm do të jetë më i ngrohtë në shkollat e kopshtet tona. Janë marrë masat e nevojshme që tani për të siguruar lëndën djegëse”, – përfundon drejtori Muho.