Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër ka çelur dyert për vitin e ri akademik 2023- 2024, duke pritur për herë të parë 372 studentë, shifër kjo 30 % më e lartë se një vit më parë. Ky vit akademik e gjen këtë institucion arsimor edhe me 4 programe të reja në të trija ciklet e studimit, ndërkohë që asnjë degë nuk ka rrezikuar të mbyllet.
“Janë programe që zhvillohen me universitete italiane,Salentos, Maceratës e Molises, Firences që në përfundim të tyre studentët marrin dy diploma. Studimet do të kryhen edhe në këto universitete në kuadër të programeve të mobilitetit të BE”, shprehet rektori Bektash Mema.
Rektori Bektash Mema veçon si një faktor që ka ndikuar në prurjet e sivjetshme edhe zhvillimin e territorit jugor si në infrastrukturë ashtu edhe përsa i përket turizmit.
Në të trija ciklet e studimit universiteti i Gjirokastrës frekuentohet nga rreth 2000 studentë, që vijnë kryesisht nga rajoni jugor, por edhe nga zona të ndryshme të vendit e Kosova. Degët që marrin më tepër interesin e të rinjve janë ato të ekonomikut, infermierisë dhe programet profesionale dy vjeçare.