• Gjirokastër

Virozat e stinës / 60 fëmijë në ditë i drejtohen spitalit të Gjirokastrës

Gjirokastra 15 Dhjetor 2023

Virozat e stinës nuk kanë kursyer as moshat pediatrike në Gjirokastër. Grupmosha ku hasen më shpesh është 0 – 5 vjec bëjnë të ditur burime nga pavioni i pediatrisë pranë spitalit rajonal “Omer Nishani”, ku numri i fëmijëve që hospitalizohen cdo ditë nuk e kalon shifrën 5.

Mjeku pediatër Mikel Koti thotë se një në 10 fëmijë që kalon virozë, përkeqësohet duke kaluar në gjendje të ndërlikuar shëndetësore. Këto raste janë mbajtur nën trajtim dhe monitorim nga bluzat e bardha deri në shërimin e plotë.

Pa llogaritur vizitat e kryera pranë qendrave shëndetësore, vetëm në urgjencën e spitalit, pavionin e pediatrisë dhe poliklinikë në 24 orë paraqiten me  viroza rreth 60 fëmijë. Ajo që vlerësojnë mjekët është se prindërit nuk janë më të prirur për të përdorur antibiotikë që në fillimet e simptomave, por vendosin  të ndjekin këshillat e tyre.

Rreth 60 vizita në ditë presin mjekët pediatër në spitalin e Gjirokastrës. Shumica e pacientëve të vegjël që janë prekur nga virozat e stinës së dimrit pas kontrollit trajtohen në shtëpi sipas recetës së mjekut, ndërsa pjesa tjetër marrin shërbim në repartin e pediatrisë.