• Gjirokastër

Virozat dhe Covid 19, Test për të diferencuar diagnozat

Gjirokastra 17 Tetor 2023

Ardhja e vjeshtës ka sjellë një përhapje më të madhe të virozave dhe covid 19 te të gjitha grupmoshat. Të dyja këto patologji vijnë pothuajse me të njëjtat shenja klinike thotë mjekja Ana Llukani siç janë: temperaturë, kollë e thatë apo me sekrecione, prandaj ka qënë e domosdoshme kryerja e testit të covid për të diferencuar diagnozat. Nga rastet e deritanishme nuk janë shënuar problematika serioze.

“Me ardhjen e stinës së vjeshtës kemi pasur edhe raste me covid 19 edhe pse në mënyrë relativisht të ulët. Kjo falë edhe imunizimit të popullatës me anë të dozave përkatëse  kundër covid 19. Rastet kanë qënë kryesisht të lehta . Kuadri klinik ka qënë i ngjashëm me ato të virozave stinore. Kemi monitoruar të gjithë pacientët tanë veçanërisht ata me sëmundje kronike. Nuk ka patur asnjë problematikë serioze dhe pak ditë pas fillimit të mjekimit gjendja e tyre është stabilizuar. Meqënëse jemi në stinën e virozave  dhe pacientët shfaqin të njëjtat simptoma, si temperaturë, kollë e thatë apo kollë me sekrecione është e nevojshme të bëhet diferencimi i virozave dhe covid 19. Për këtë arsye është e domosdoshme kryerja e testit përkatës për të përcaktuar diagnozën e saktë”- thotë mjekja Ana Llukani.

Çdo mjek i familjes  në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe, pret mesatarisht çdo ditë rreth 10 pacientë  me viroza dhe covid 19.