• Gjirokastër

Virozat dhe Covid 19/Rastet më të shpeshta në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani”

Gjirokastra 18 Korrik 2023

Urgjenca e spitalit rajonal “Omer Nishani” në këto ditë vere është përballur më një fluks vizitash, ku për një pjesë të tyre shkak janë bërë virozat. Shefi i këtij reparti Bledar Çela thotë se pacientët janë paraqitur me simptoma si temperaturë e lartë, diarre, dehidratim, të cilët kanë pasur nevojë për mjekim të specializuar.

“Kemi pasur viroza, të shoqëruara me temperaturë të lartë,këputshmëri, diare, të vjella, dehidrim që kanë sjellë edhe nevojën për mjekim të specializuar. Për të dominuar problemin në urgjencë kemi përdorur mjekimin venoz, ndërsa i është dhënë edhe mjekim për në shtëpi. Kemi pasur edhe raste që janë rikthyer në urgjencë, pavarësisht mjekimit. Në këto raste është dashur që të hospitalizohet për disa ditë deri në stabilizimin e gjendjes shëndetësore”, – thotë Çela.

Covid 19 vijon të jetë prezent.Nuk kanë munguar rastet  të cilat janë konstatuar gjatë kryerjes së testit, nga bluzat e bardha të këtij shërbimi, por që kanë kanë kaluar pa problematika të mëdha.

“Gjatë rasteve të virozave u kemi bërë edhe testin e covid, ku ka rezultuar që kanë qënë të infektuar. I kemi trajtuar me të njëjtin protokoll që është përdorur më parë. I kemi dhënë mjekime në shtëpi, u kemi kërkuar ndjekjen intensive, rikontroll pas tri ditësh. Kemi parë në përgjithësi se nuk ka qënë asnjë rast i rëndë. Pacientët janë përmirësuar. Pra, covidi, sic e kemi thënë është kthyer në një grip sezonal që vjen herë pas here”,- sqaron Çela