Ulja e temperaturave ka sjellë një përhapje më të madhe të virozave të stinës dhe covid 19 në Gjirokastër. Kjo është reflektuar në numrin e vizitave ditore pranë urgjencës së Spitalit rajonal “Omer Nishani”. Nga rreth 60 pacientë që pret përditë 50 % e tyre rezulton me shenja klinike të të dy patologjive, te cilat ndahen vetëm pas kryerjes së testit thotë shefja e urgjencës Asife Shehaj.
“Gjatë këtyre ditëve, urgjenca e spitalit të gjirokastrës, është përballur me një fluks të shtuar pacientësh që vijnë kryesisht me simptoma temperaturë e lartë, dhimbje fyti, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, pafuqi e simptoma të tjera që lidhen me virozat stinore. Një pjesë e tyre janë pacientë të cilëve iu del tampon pozitiv dhe janë me covid. Pjesa tjetër janë viroza të cilat qarkullojnë dhe lidhen me uljen e temperaturave. Marrin trajtim në spital dhe largohen në shtëpi. Duhet thënë që simptomat janë të lehta , përsa i përket Covid, nuk janë më aq agresive si më parë. Kalojnë lehtë me trajtim ambulator”, – thotë Shehaj.