Viti i ri mësimor 2023-2024 do të shënojë edhe çeljen e një klase të parë dedikuar muzikës, pranë shkollës 9 vjeçare “Urani Rumbo”. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i liceut artistic “Feim Ibrahimi” Bujar Dudumi i cili sqaron se vogëlushët mund të zgjedhin të studiojnë në instrumenta të ndryshëm muzikorë, nën drejtimin e mësuesve të liceut. “Këtë vit pranë shkollës 9 vjecare “Urani Rumbo”do të hapet një klasë me drejtim artistik. Pavarësisht se kjo klasë do të varet nga kjo shkollë të gjithë specialistët do ti ketë nga shkolla e mesme “Feim Ibrahimi”. Nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin jo vetëm specialitetet e pianos e violinës, por edhe instrumentave të tjerë të cilët përfshihen në planin e ri edhe për klasat e para. Është mundësi e mirë për gjithë prindërit ti regjistrojnë fëmijët .E ardhmja e shkollës artistike tashmë ka marrë një drejtim më të sigurt, falë interesimit të Zyrës arsimore Gjirokastër Libohovë, por edhe Ministrisë së Arsimit”,- thotë drejtori i liceut artistik, Bujar Dudumi.
Ndërkohë, pranë shkollës artistike “Feim Ibrahimi” vijojnë regjistrimet për vitin e ri mësimor. Prurjet e deritanishme janë të kënaqshme dhe pritet që deri në nisjen e procesit mësimor, në shtator ,shifra e nxënësve në klasat e dhjeta të shkojë 20.
“Jemi shumë herë më mirë se vitet e kaluara në prurjet për këtë vit mësimor . Deri tani kemi të regjistruar 13 nxënës, por synojmë të kapim shifrën 20. Për vetë specifikën që kjo shkollë ka, regjistrimet vazhdojnë deri në ditët e para të vitit mësimor. Iu bëj thirrje gjithë nxënësve që kanë përfunduar klasat e 9 të vijnë në këtë shkollë se u siguron një të ardhme shumë të mirë qoftë në degën e arteve figurative, ashtu edhe në muzikë”,- thotë Dudumi Liceu artistik “Feim Ibrahimi” pret të rinj nga gjithë rajoni jugor duke përgatitur artistët e së ardhmes. Kjo shkollë prej vitesh luan një rol të rëndësishëm në gjallërimin e jetës artsitike e kulturore të qytetit të gurtë e jo vetëm.