• Gjirokastër

Vaksina HPV, 70 doza  të aplikuara në  Gjirokastër

Ledja Fili 15 Mars 2023

Vaksina HPV, tashmë është pjesë e skemës së vaksinimit detyrueshëm në Shqipëri që prej muajit nëntor. Ndërsa kanë kaluar mbi 4 muaj, shifrat zyrtare nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor flasin për mbi 70 doza të aplikuara te vajzat e moshës 13 vjecare, në Gjirokastër. Mjekët vijojnë të bëjnë apel për prindërit që të mos ta neglizhojnë pasi është mjaft e rëndësishme për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, një sëmundje që mund të çojë deri në humbjen e jetës.

Nga strukturat e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër vijon procesi i sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë që kjo vaksinë ka. Në shkollat nëntëvjecare, specialistët e promocionit dhe edukimit, kanë ndërmarrë një tur takimesh me vajzat e grupmoshës 9-13 vjeç. Prej tyre shpërndahet informacion mbi këtë sëmundje dhe masat që duhen marrë përmes aplikimit të vaksinës HPV që në moshë të hershme.