• Gjirokastër

Vaksina HPV, 185 vajza të vaksinuara që prej nëntorit 2022

Gjirokastra 04 Shtator 2023

Një nga sëmundjet problematike që prek sistemin riprodhues femëror është kanceri qafës së mitrës, rastet me të cilin janë shtuar. Për ta kapur  hershëm ekzistojnë metoda depistuese dhe diagnostikuese, por një nga format e parandalimit të kësaj sëmundje është edhe vaksinimi i cili është një instrument i rëndësishëm. E futur në skemën e vaksinimit të detyrueshëm, që prej nëntorit të 2022 rezulton që në Gjirokastër të jetë aplikuar  vaksina HPV tek 185 vajza. Për gjithë prindërit që janë skeptikë në lidhje me këtë vaksinë specialisti i shëndetit publik Bledar Ahmetaj kujton edhe një herë benefitet. “Përmes vaksinës që ka filluar të aplikohet edhe në qendrat tona shëndetësore, për grupmoshën 9-14 vjeç bëhet i mundur parandalimi i shfaqjes së virusit Human Papiloma i cili është shkaktar i kancerit në qafën e mitrës. Kjo vaksinë e cila është bërë pjesë e programit të imunizimit dhe vaksinimit duhet të kryhet prej këtyre grupmoshave. Duke e kryer këtë vaksinë në kohë, parandalohet në një kohë më të vonshme shfaqja e kësaj sëmundje e cila është problematike jo vetëm për komunitetin femëror por edhe për familjen , shoqërinë , ndërkohë që ka dhe kosto të larta ekonomike”, thotë Bledar Ahmetaj, specialist i shëndetit publik. Nga strukturat e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër  gjatë këtij viti janë ndërmarrë aktivitete sensibiliuese dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë që kjo vaksinë ka. Në shkollat nëntëvjeçare, specialistët e promocionit dhe edukimit, kanë ndërmarrë  ture takimesh me vajzat e grupmoshës 9-14 vjeç. Prej tyre është shpërndarë informacion mbi këtë sëmundje dhe masat që duhen marrë përmes aplikimit të vaksinës HPV që në moshë të hershme.