Fluksi i emigrantëve të ardhur nga Italia për të kaluar pushimet verore në Vlorë ka nisur tashmë me ritme të larta. Ndërkohë që në portin e Vlorës po operohet vetëm me një traget të linjës Vlorë –Brindisi, i kontaktuar nga RTSH, shefi i përpunimit të trageteve në Vlorë, Festim Skëndaj tregon statistikat në nisje të këtij sezoni.
Sipas Skëndajt, gjatë muajit qershor kanë zbarkuar deri tani 2884 pasagjerë, 479 mjete të vogla dhe 217 mjete të mëdha. Kanë dalë nga Porti 2293 pasagjer, 355 mjete të vogla dhe 239 mjete të mëdha. Gjithashtu nga Himara, sektori i portit Vlorë janë futur 1358 turistë dhe kanë dalë 1244.
“Nga porti i Himarës turistët e ardhur janë kryesisht anglezë, amerikanë, spanjollë dhe nga Skandinavia. E ndërsa në Vlorë më të shumtit janë shqiptarë, por dhe italianë. Vlora vijon të mbetet destinacioni i preferuar i turistëve të huaj e duket se ky vit do të ketë pritshmëri më të mira se viti i kaluar“, tha Skëndaj.