Edicioni i dytë i “Travel Fest Albania” zbret edhe në Gjirokastër. Në ekranin e madh të vendosur në Odeonin e gurtë mbrëmjen e djeshme nisi shfaqja e 14 filmave dokumentarë e cila do të vijojë edhe sonte. Drejtori dhe themeluesi i këtij festivali Pandeli Çeço thotë se janë kryesisht prodhime që kanë në qendër të tyre, turizmin, natyrën, trashëgiminë kulturore, destinacionet ekspeditat dhe vijnë nga autorë të njohur nga vende të ndryshme të botës.
“Travel fest Albania është festivali i filmave dokumentarë që kanë në qendër turizmin, natyrën, trashëgiminë kulturore, destinacionet ekspeditat, pra përfshin filmin, kulturën e turizmin. Në Gjirokastër kemi zgjedhur 14 filma. Kemi të pranishëm këtu 8 autorë që do prezantojnë filmat e tyre, pra është një pjesëmarrje më shumë se 50 përqind. Janë autorë nga Spanja, Franca, Danimarka, Gjermania, Turqia, Bjellorusia, Britania e Madhe. Filmat janë nga destinacione të ndryshme të botës, por këtë vit kemi pesë të tillë nga autorë të huaj, por pikërisht për Shqipërinë. Shpresojmë që edhe këtë edicion autorët të gjejnë një shkëndijë frymëzimi për të na ardhur në edicionin e ardhshëm më një film nga Gjirokastra ose pika të tjera turistike të Shqipërisë.”, tha drejtori i festivalit Pandeli Ceco.
Për autorët pjesëmarrja në këtë event është kënaqësi, jo vetëm se prezantojnë kuturën e trashëgiminë e vendeve prej nga vijnë, por u jep mundësia të njihen më Shqipërinë e traditat e saj.
“Është një dokumentar për Spanjën. Është një mënyrë për të paraqitur kulturën tonë. Është një festival që e kam përzgjedhur se e shoh që dhe pse është i ri ka shumë potencial dhe po rritet shumë. Jam shumë e lumtur që po përjetoj kultura të ndryshme, të shoh vende të reja, të provoj ushqimin tradicional shqiptar, dhe uroj që ky festival të ecë përpara.”, – tha Irina Melnik.
Travel Fest Albania sjell në edicionin e dytë 112 filma dokumentarë të përzgjedhur të titruar në shqip dhe anglisht që mbajnë autorësinë e 30 producentëve dhe regjisorëve të huaj.