• Lajme kombëtare

Trajtim i veçantë i studentëve të mjekësisë, RTSH bën të njohur detajet e projektligjit të ri

Ledja Fili 10 Korrik 2023

Një projektligj i ri i qeverisë që është miratuar të kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar synon përcaktimin e mënyrës së trajtimit të veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë.

Televizioni publik e disponon një kopje të projektligjit, për të cilin ka pasur debat në seancën kuvendore por edhe protestë të studientëve.

Po për çfarë bën fjalë ky projektligj?

Sipas autorëve të tij, projekti i ri, që bazohet edhe në Kushtetutë, ka synim përcaktimin i rregullave për trajtimin e veçantë të studentëve  në institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe sigurimin e burimeve njerëzore për kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.

Projektligji synon mbështetjen financiare të kandidatëve/studentëve që regjistrohen apo ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme”.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar në Kuvend se aktualisht rreth 5400 mjekë ofrojnë shërbim në sistemin shëndetësor, përkthyer në 1.93 mjekë për çdo 1 000 banorë, kur në nivelin e vendeve të rajonit ky raport është 2.6 mjekë/1 000 banorë), apo kur në vendet e OECD raportohen 3.6 mjekë/ 1 000 banorë.

Projekti në fjalë synon të zgjidhë fenomenin e largimit të mjekëve nga sistemi dhe nga vendi dhe boshllëqet e krijuara.

Në 11 nenet e tij projekti shkruhen detyrimet dhe të drejtat ndërsa në nenin 5 sanksionohet edhe mospranimi i nënshkrimit të marrëveshjes nga studentët, që lidhet me vlerën e plotë të kostot së studimit.

Televizioni publik mori dijeni edhe për kostot e këtij shkollimi.

Kostoja mesatare e studimeve për të gjitha fakultetet, sipas përllogaritjeve është

-Bachelor, 381 643 lekë/vit;

-Master i Shkencave, 552 280 lekë/vit;

-Master profesional, 562 132 lekë/vit.

Kjo kosto bazohet në kuotat e miratuara si dhe numrin faktik të personelit

akademik dhe atij ndihmës. Kostoja e studimit për programin e integruar të studimit në “Mjekësi e Përgjithshme” është  rreth 678 mijë lekë në vit/student. Projektligji parashikon edhe detyrimin për përcaktimin e metodologjisë së llogaritjes së kostos me vendim të Këshillit të Ministrave. Pas miratimit, ky ligj zbatohet nga viti akademik 2023-2024 deri në vitin akademik 2027-2028.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi