Në kuadër të projektit të MAS, “Toka në Shkollë”, nxënësit e disa institucioneve arsimore në Gjirokastër mbollën perime të ndryshme në Parkun Natyror të Viroit. Në mungesë të ambienteve brenda shkollave të tyre, bashkia Gjirokastër u dha në përdorim disa parcela buzë liqenit. Ky program synon lidhjen e nxënësve me tokën, kultivimin e prodhimin bujqësor përmes mikrofermave e miniserrave. Nxënësve, në këtë nismë te re për ta, iu bashkua dhe kryetari i bashkisë, Flamur Golemi dhe drejtoresha e arsimit Albana Hasanaj.
“Ishim sot me nxënësit e katër shkollave të qytetit të Gjirokastrës, konkretisht me nxënësit e shkollave, “Koto Hoxhi”, “Urani Rumbo”, “Feim Ibrahimi” dhe “Siri Shapllo”, në vazhdim të nismës së marrë së fundi nga MAS. Të gjitha institucionet arsimore duhet të kenë parcelën e gjelbër në të cilën nxënësit duhet të aftësohen në veprimtari praktike. Për të gjitha ato shkolla që e kanë të pamundur të krijojnë këtë hapësirë , brenda ambienteve të tyre ne kemi komunikuar me pushtetin lokal për të na krijuar mundësinë për këto hapësira. Tashmë në Parkun e Viroit kemi gjashtë parcela të cilat u mbollën nga nxënësit, të cilët dhe do të kujdesen për prodhimet. Krahas veprimtarive praktike, sigurisht që një ide shumë e mirë është ajo e sipermarrjes. Pra gjatë kësaj periudhe nxënësit do të mbjellin dhe në të njëjtën kohë do të mendojnë se çfarë do të bëjnë me produktet e prodhuara. Ne kemi gjashtë parcela pranë njëra – tjetrës dhe kjo shihet si një mënyrë shumë e mirë për të nxitur konkurencën e mirë, le të themi.”,- tha drejtoresha e arsimit në Gjirokastër, Albana Hasanaj.