Tirana ka bërë mrekullinë në Gjeorgji duke fituar 2-1 përballë Dinamo Batumi, që i jep të drejtën për të vazhduar në turin e dytë në Ligës së Konferencës. Një ndeshje e zgjuar e bardhebluve në “Batumi Stadium”, të cilët duke u nisur dhe nga barazimi 1-1 i ndeshjes së parë arritën të bëjnë çdo gjë në mënyrën e duhur për të eliminuar një kundërshtar aspak të lehtë.
Të vendosur mirë në fushën e lojës, të besuarit e trajnerit Orges Shehi arritën të godasin kundërshtarin pa u mbyllur gjysmë ore lojë, pas një aksioni të rrjedhshëm ishte Lushkja 28’ ai që e dërgoi topin në rrjetë. E njëjta skemë për të shënuar dhe golin e dytë me anë të Deliut në minutën e 77-të, ndërkohë që gjeorgjianët kishin goditur dy herë shtyllën.
Sulmet e shumta të skuadrës vendase u shpërblyen me një gol të shënuar nga Kapanadze 90′, por që nuk mjaftoi për të ndalur rrugëtimin e bardhebluve, të cilët e administruan si duhet rezultatin dhe arritën të sigurojnë në fund kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës ku e pret sfida me turqit e Beshiktash.