Ishin vajzat dhe gratë, punonjëse të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ato që e çelën fushatën sensibilizuese për prandalimin e kancerit të gjirit në Gjirokastër duke iu drejtur të parat Shërbimit të Mamografisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”. Ndërsa kanë marrë përgjigje pozitive, ato përcjellin edhe apelin për gjithë femrat mbi 35 vjec që të mos hezitojnë, por të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje që prek 1 në 8 femra.
Kreu i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Edi Sinojmeri, i drejtohet popullatës femërore duke i ftuar të bëhen pjesë e Tetorit Rozë duke u kontrolluar me eko e mamografi.
Shërbimi i Mamografisë, gjatë këtij muaji, funksionon me orar të zgjatur prej orës 8 deri në 18 dhe pa asnjë ditë pushim me qëllim që të ofrojë kontrolle për të gjitha femrat që do të zgjedhin këtë periudhë për të kryer një kontroll të gjirit.
Është një muaj në vit që i kushtohet ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit. Dhe ai është tetori, i cili shoqërohet me aktivitete të ndryshme sensibilizuese dhe apele ndaj femrave mbi rëndësinë që ka ekzaminimi për të parandaluar këtë sëmundje që prek një në 8 gra.
Një i tillë vjen nga mjeku radiolog Ermir Mailaj i cili i fton femrat mbi 35 vjec të paraqiten pranë spitalit rajonal Omer Nishani për të kryer mamografinë, një shërbim që ofrohet falas që prej 2018 në këtë institucion shëndetësor.
“Ju bëj thirrje të gjitha grave mbi moshën 35 vjec që nuk kanë kryer asnjëherë ekzaminimin e gjirit me mamografi të paraqiten pranë spitalit ku ofrohet falas. Gjithashtu, të gjitha gratë që kanë pasur problematikë shoqëruese me gjinjtë, të paraqiten pranë njësisë së mamografisë për tu ekzaminuar.
Është shumë e domosdoshme kryerja e mamografisë sidomos ndjekja e periodikës së bërjes së ekzaminimeve.Te gratë mbi 35 vjec rritet faktori i riskut.Detyrimisht, të gjitha gratë e kanë domosdoshmëri të paktën një herë në 5 vjet bërjen e këtij ekzaminimi”,- thotë mjeku radiolog Ermir Mailaj.
Sic shprehet dhe Mailaj kanceri i gjirit është një sëmundje e shërueshme nqse kapet herët. Ajo çka është vënë re është rritja e interesit të femrave për ta kryer mamografinë. Vetëm nga ekzaminimet e kryera gjatë tetorit rozë, sipas tij, ka patur vite që në Gjirokastër janë diagnostikuar me këtë sëmundje deri në 20 gra.
“Nga viti në vit, sidomos që nga 2018 është vënë re që ka një rritje të rasteve të kancerit të gjirit. E kemi nisur me numra të reduktuar, por ka pasur vite ku muajit tetor janë shënuar edhe 20 gra të cilat nuk e kanë ditur që vuanin nga kjo lloj sëmundje.
Aktulisht, kanceri i gjirit quhet sëmundje e shëruar kur kapet në fazat e hershme” Për bluzat e bardha të njësisë së mamografisë në spitalin e Gjirokastrës muaji tetor nuk do të shënojë asnjë ditë pushimi përfshirë edhe të dielat.Çdo ditë do të jetë në shërbim të komunitetit të femrave prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 18.