Fushata sensibilizuese për parandalimin e kancerit të gjirit ka rezultuar frytdhënëse në Gjirokastër. Që prej fillimit të tetorit rozë, çdo ditë mamografia e spitalit rajonal “Omer Nishani” ka punuar në kapacitetin maksimal, duke ofruar shërbim për gratë e vajzat jo vetëm nga qyteti por edhe nga fshati.
Vetëm gjatë ditës së sotme i janë përgjigjur thirrjes së Forumit të Grave Socialiste 15 zonja nga zonat rurale, ku prezent ishte edhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi të cilët përcollën mesazhet e tyre që në thelb kishin depistimin e hershëm.
Mjeku radiolog Ermir Mahilaj, nisur nga numri i lartë i kërkesave për ekzaminim përmes mamografisë, ka hedhur idenë e shtrirjes së kësaj fushate deri në dhjetor.
Pjesa më e madhe e grave ditën e sotme pohuan se nuk kanë kryer asnjëherë në jetën e tyre një kontroll të gjirit.
Në Gjirokastër, numri i grave dhe vajzave që janë ekzaminuar përmes mamografisë, vetëm gjatë gjysmës së parë të tetorit, kap shifrën 300, 9 herë më e lartë se kontrollet e kryera në gjashtëmujorin e parë të 2023.