• Lajme nga bota

Tërmet i fuqishëm në Afganistan, mijëra të vdekur, shumë të plagosur

Gjirokastra 08 Tetor 2023

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Afganistanin duke lënë të vdekur mijëra njerëz dhe plagosur shumë të tjerë.

Numri i të vdekurve nga tërmetet e forta që tronditën Afganistanin perëndimor është rritur në mbi 2,000, tha të dielën një zëdhënës i qeverisë talebane.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar ndërsa Abdul Wahid Rayan, zëdhënës i Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës në Afganistan, ka bërë thirrje për ndihmë urgjente.

Tërmeti me magnitudë 6.3 shkatërroi disa fshatra rreth 40 km (25 milje) nga qyteti i Heratit.

Banorët kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Herati ndodhet 120 km (75 milje) në lindje të kufirit iranian dhe konsiderohet të jetë kryeqyteti kulturor i Afganistanit.

Afganistani goditet shpesh nga tërmetet – veçanërisht në vargun malor Hindu Kush pasi shtrihet pranë kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, provinca e Paktikës u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 i cili vrau më shumë se 1000 njerëz dhe la dhjetëra mijëra të pastrehë./BBC