Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim ditën e sotme ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Sipas njoftimit për mediat, Kryeministria bën të ditur se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në tri komunat në veri të vendit, ku protestuesit serbë ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.
“U pajtuan për rëndësinë jetike të deeskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt.
Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.
U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.
Ndërkaq, protestuesit në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, janë mbledhur sërish sot para ndërtesave të komunave duke hyrë në ditën e 11-të të protestës. Nata e mbrëmshme ka kaluar e qetë në këto komuna ndërsa deri më tani situata vijon të jetë e tillë teksa pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale në ruajtje të rendit.