Universiteti “Eqrem Çabej do t’u japë mundësinë të rinjve nga Lugina e Preshevës të kryejnë studimet e larta pa pagesë. Një bashkëpunim mes këtij këtij institucioni akademik, Bashkisë Gjirokastër , komunës së Bujanovcit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar synon mbështëtjen e këtyre të rinjve për të vazhduar universitetin në degë të ndryshme, përfshirë dhe ato prioritare. Arsimimi dhe punësimi i tyre ka qenë në qender të takimeve të mbajtura së fundi në Gjirokastër.
” Për arsyen se të rinjtë e Luginës së Preshevës që studiojnë në Kosovë, numri më i madh në vite kanë studiuar në Kosovë, diplomat e tyre pasi të përfundojnë fakultetin nuk njihen në Luginën e Preshevës, si rrjedhojë ne kemi mungesë të kuadrove nëpër institucionet lokale në Luginën e Preshevës. Nisur nga ky fakt dhe nisur nga fakti që diplomat shqiptare njihen në Serbi ne kemi vendosur që të trokasim nëpër dyert e bashkive dhe universiteteve në Shqipëri në mënyrë që ti hapin dyert për studentët e Luginës së Preshevës dhe po fillojmë një bashkëpunim konkret me bashkinë e Gjirokastrës, e cila do të sigurojë akomodimin për studentët e Luginës së Preshevës ndërkohë që studentët që do të studiojnë në universitetin e Gjirokastrës do të lirohen nga tarifa e shkollimit”,- thotë Nevzad Luftiu, kryetari i këshillit kombëtar shqiptar.
Bashkëpunimi i nisur mes Bashkisë së Gjirokastrës dhe subjekteve shqiptare në Luginën e Preshevës synon të shtrihet në fusha të ndryshme si arsim, kulturë, turizëm etj.