• Lajme kombëtare

Të rinjë nga Kosova marrin shtetësinë shqiptare, mes tyre trajneri i Majlinda Kelmendit

Gjirokastra 01 Shtator 2023

Katër shtetas të rinj, tre prej të cilëve nga Kosova, janë betuar dhe kanë marrë nënshtetësinë shqiptare në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Një ndër shtetasit është edhe Driton Kuka, trajneri kampion olimpik në xhudo, i cili ka nxjerrë edhe xhudisten Majlinda Kelmendi kampione bote dhe Europe.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Shqipëria dhe Kosova po njohin ditët e tyre më të mira, duke e vënë theksin te numri i madh i të huajve në vend.

“Sot nuk janë gjërat perfekte as në Shqipëri, as në Kosovë, por di të them se po jetojmë ditët tona më të mira. Pasi të bëni betimin si shtetas shqiptarë do të dilni nga kjo zyrë dhe do të shikoni sheshin “Skënderbej”, që mban emrin e heroit tonë, njerëz që flasin çdo gjuhë. Sot po jetojmë ditët më të mira, ku në Tiranë nuk ka vend për hotele. Po jetojmë ditët tona më të mira kur krejt mediat botërore, falë edhe çikave tona në sport dhe muzikë, po flasin kaq mirë për vendin tonë. Ndonjëherë, ne harrojmë të flasim aq mirë për vendin tonë, por sikur secili prej nesh të flasë nga goja e tij me të njëjtën gjuhë prej mjalti, që flet secili prej turistëve kur intervistohet në rrugë, me dashuri për Shqipërinë, do ishim edhe më mirë,” u shpreh ai.