• Sarande

Të huajt rrisin çmimin e pronave në Sarandë

Gjirokastra 09 Maj 2023

Në Sarandë edhe këtë vit  vazhdon rritja e cmimit të pronave. Sipas agjensive të pasurive të patundshme, rritja e kërkesës nga të huajt ka bërë që çmimet e apartamenteve dhe vilave në bregdet  të shkojnë  deri në 40%.  

Administratori i agjensisë  imobilare “Real-State Office”, Bledi Mullai thekson se trendi në rritje  çmimeve në Sarandë ka nisur që me kohën e pandemisë.

Arsye e rritjes së çmimeve në Sarandë, përvec kërkesës së shtuar nga të huajt, ka  ardhur edhe nga shtrenjtimi i kostove të ndërtuesve nga lëndët e para të ndërtimit, të cilat nisën të rriten menjëherë pas luftës Rusi-Ukrainë.

Z. Mullai nënvizon se kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt. Polakët janë ata që zënë vendin e parë, për të vijuar më pas gjermanët, suedezët, holandezët, italianët, por që nuk mungojnë as shqiptarët e Kosovës.

Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime. Kërkesa është rritur edhe nga nomadët dixhitalë, që kanë elasticitetin e të punuarit online.

Ndërkohë nëse tendenca e blerjeve  edhe në projektet strategjike që tashmë  kanë nisur  do të dominohet nga të huajt, cmimet e pronave do të vazhdojnë të rriten ende.