• Gjirokastër

“Të fitosh një gradë doktorale në shekullin e 21-të”/ Akademiku Fatos Tarifa ndan eksperiencën me pedagogë të universitetit “Eqrem Cabej”

Gjirokastra 11 Dhjetor 2023

 20 pedagogë që janë duke ndjekur doktoraturën, por edhe ata që janë në proces aplikimi  janë bërë sot pjesë e leksionit të mbajtur në ambientet e universitetit “Eqrem Cabej” nga prof.dr.Fatos Tarifa. Tarifa zgjodhi këtë institucion të lartë akademik për të shpërndarë përvojën e tij për faktin se ka një lidhje të ngushtë me këtë universitet prej të cilit është nderuar dhe me titullin “Doctor Honoris Causa”. Për të interesuarit Tarifa foli mbi gjithë procesin e doktoraturës që nga përzgjedhja e temës, e deri te shkrimi i saj.

“Është një leksion për të ndihmuar me përvojën që kam në këtë fushë si shkruhet një disertacion doktorate, si zgjidhet një temë studimore, si ndiqet metoda e kërkimit në një studim të tillë dhe për të shkëmbyer eksperiencën tonë. Realiteti shqiptar shoqëror – ekonomik ofron një gamë të gjerë subjektesh të cilat kanë nevojë të studiohen nga pedagogët e këtij universiteti, për qarkun jugor, për qytetin e Gjirokastrës për jetën ekonomiko – shoqërore, për traditat. Pjesa më e madhe e pedagogëve që janë të angazhuar në programet doktorale janë të degës së mësuesisë. Vetë sistemi arsimor, nevoja e edukimit për brezin e ri provokojnë një sërë subjektesh të cilat janë të rëndësishme të studiohen në mënyrë që përvoja njerëzore të pasurohet më tej në mënyrë që problemet që ndeshim në këtë fushë të jenë të studiuara shkencërisht në mënyrë që arsimi i cili ka një traditë kaq të gjatë në Gjirokastër të zhvillohet më tej në të ardhmen. Kësaj mund t’i paraprijë fare mirë një punë studimore. Ky universitet është shumë i përgatitur ta bëjë.”, – thotë akademiku Fatos Tarifa

Prof. Dr. Fatos Tarifa është nderuar në maj të vitit 2021 nga universiteti i Gjirokastrës me titullin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa dy javë më parë Bashkia gjirokastër e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”.