Pas betimit në Presidencë, ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla ka hyrë për herë të parë në ambientet e institucionit që do të drejtojë tani e tutje.
Balla është pritur nga ish-ministri Çuçi, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe titullarët e institucioneve të varësisë. Çuçi shprehu falënderime për stafin e Ministrisë Brendshme dhe vuri në dukje se arritjet në disa prej prioriteteve të punës së institucionit, janë rezultat i kontributeve të të gjithëve.
Çuçi shprehu vlerësimet më të larta për ministrin e ri Balla. Ai i dorëzoi formalisht edhe një dosje “exit-memo” me arritjet, prioritetet dhe një “road-map” për objektivat e ardhshme.
Nga ana e tij, në fjalën e tij të parë si ministër i Brendshëm, Balla theksoi se në fillim të javës së ardhshme do të bëjë të njohura për stafin dhe publikun, prioritetet që ai ka vendosur në detyrën e sapomarrë.
Ndërkaq, më herët, Taulant Balla u betua para Presidentit të Republikës, si ministër i Brendshëm. Ceremonia është mbajtur në Institucionin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Taulant Balla u propozua për postin e ministrit të Brendshëm nga kryeministri Edi Rama pas shkarkimit të Bledi Çuçit.
Ndërkaq, parlamenti votoi dekretin e Presidentit, Bajram Begaj, për emërimin e Ballës në postin e ministrit.
Pro Ballës ishin 75 deputetë, 16 kundër, ndërsa pati edhe 1 abstenim.
Para votimit të Ballës, deputetët votuan me 84 vota pro dekretit të kreun të shtetit për shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm.
Taulant Balla ka mbajtur postin e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa me emërimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, ende nuk dihet ende se kush do ta pasojë në detyrën e kreut të Grupit Parlamentar socialist.
Kush është Taulant Balla
Taulant Balla, i cili ka mbajtur postin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është një emër mjaft i spikatur në këtë forcë politike, ndërsa ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme.
Balla është anëtar i Partisë Socialiste që në vitin 1995, në moshën 18 vjeçare, kur ai u regjistrua në radhët e PS-së së Librazhdit.
Menjëherë më pas ai u largua për studime në Rumani, ku përfundoi studimet e larta dhe master për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Alexandru Ioan Cuza në Iasi.
Në vitin 2002, ai nisi punë në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Partisë Socialiste dhe në vitin 2003 u punësua në stafin e Zëvendës Kryeministrit të atëhershëm, Namik Dokle.
Fillimi i mirëfilltë i karrierës së tij politike ishte në vitin 2004-2005, kur Balla u emërua ndihmës i ish-Kryeministrit Nano, i ngarkuar me kontaktet me Internacionalen Socialiste.
Më pas ai u kandidua për deputet në zonën e Librazhdit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në moshën 28 vjeçare. Megjithëse socialistët i humbën zgjedhjet, të fundit të zhvilluara me sistemin mazhoritar, Taulant Balla u zgjodh deputet.
Në periudhën 2007-2009, ai shërbeu si kryetar i Komisionit parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit pasi shumica demokrate vendosi që kryesinë e këtij komisioni t’ja kalonte opozitës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të zhvilluara pas ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, Taulant Balla u rendit i katërti në listën e qarkut Elbasan dhe u zgjodh sërish deputet si përfaqësues i zonës së Librazhdit.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, Balla u rendit i pesti në listën e PS-së për qarkun Elbasan. PS fitoi 6 nga 14 mandate duke e bërë Ballën sërish deputet.
Në tetor 2017, pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së duke marrë kështu edhe postin e dytë më të rëndësishëm në parti. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2021, ndërsa qëndroi edhe në postin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste deri para pak ditësh kur u propozua nga kryeministri Edi Rama, në krye të Ministrisë së Brendshme.